NATO gjatë ditës së enjte ka nisur stërvitjet ushtarake në Shqipëri, ku pjesëmarrës janë një numër shumë i madh i forcave nga Shtetet e Bashkuara.
Stërvitjet në këtë shkallë janë të parat në Ballkanin Perëndimor që nga Lufta e Dytë Botërore, tha koloneli amerikan, Joseph Scrocca.
“Shqipëria është një aleate e vendosur e NATO-s që nga viti 2009” dhe “një partnere e vlerësuar e sigurisë – si në rajon, ashtu edhe në nivel global”, tha ai.
Trupat amerikane janë vendosur në Shqipëri qysh më 26 prill.
Ato do të mbajnë stërvitje në gjashtë baza tokësore, detare dhe ajrore në Shqipëri deri më 10 qershor.
Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, janë vende anëtare të NATO-s.
“Ky mision historik demonstron aftësinë tonë për të shërbyer si një partner strategjik i sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në rajonet e Detit të Zi”, tha Scrocca.
Stërvitjet e koduara si “DEFENDER-Europe 21” janë ushtrime vjetore shumëkombëshe, të cilat udhëhiqen nga SHBA-ja.
Në kuadër të tyre, rreth 28,000 forca të SHBA-së dhe 26 vendeve të tjera do të kryejnë operacione gati të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi, nisur nga Baltiku dhe Afrika deri në rajonet e Detit të Zi dhe Ballkanit.
Scrocca tha se stërvitjet si këto janë “shembulli kryesor i aftësive tona kolektive”. /REL/