Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka ndarë shpërblimet shtetërore për xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova dhe për trajnerin Driton Kuka.
Çeku tha se projekti i Qendrës Nacionale të xhudos në Pejë do të modernizohet edhe më tutje, ku vitin e ardhshëm priten investime të reja.
“Më në fund kemi arrit që sportistëve të dalluar t’i ofrojmë një infrastrukturë të dinjitetshëm dhe me i rrit sukseset që i kanë pasur deri tash. Suksesi olimpik neve na detyron që të ju shërbejmë që tash e tutje të jemi më të kujdesshëm në mbështetjen që ju ofrojmë sportit e xhudos”.
“Sot i kemi ftuar për një ceremoni simbolike. Qendra Nacionale në Pejë u inaugurua dje, por në planet tona për vitin e ardhshëm do të ketë investime të reja aty”.
Sipas tij, në mbledhjen e ardhshëm do të votohet edhe propozimi nga Qeveria e Kosovës për ta shpallur Majlinda Kelmendin “Qytetare e Kosovës me merita të veçanta”.
Trajneri Driton Kuka, tha se mbrëmë e kanë pasur stërvitjen e parë në Qendrën Nacionale të xhudos, gjë për të cilën ka falënderuar ministrin e Kulturës.
“Qendra Nacionale e xhudos është në funksion dhe më e rëndësishmja është se janë rezultatet”.
“Vizioni i juaj është për të ardhmen edhe për ndërtimin e sportit të xhudos. Ne po sfidohemi, por sporti po ec para politikës në shumë shtete që nuk e njohin Kosovën, dhe gjithmonë vendet që se kanë njohur Kosovën kemi pasur raste me fituar medalje të arta”.
Fituesja e medaljes së artë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, Nora Gjakova, ka falënderuar Ministrinë e Kulturës, për çka tha se është krenare që shteti po i shpërblen për mundin e tyre.
“Ne jemi të kënaqura më mënyrën qysh na ka mbështetur ministria deri tash, është kënaqësi që puna jonë shpërblehet dhe më vjen mirë që Kosova e ka një ligj që në fund të shpërblehemi. Edhe, Distria Krasniqi tha se ndjehet e lumtur që mundi po ju shpërblehet.
“Është ndjenjë e veçantë dhe mundi jonë po shpërblehet prej shtetit tonë”.
Ndërsa, zëvendësministrja Daolina Osmani, tha se është mirë që salla e vjetër të ruhet, apo të shndërrohet si muze për të ardhmen.