Sindikata gjermane “ver.di” e ka nisur të dielën grevën e planifikuar për të hënën në aeroportin e Hamburgut.
Kjo sindikatë e ka bërë njoftimin mëngjesin e së dielës.
“Grevat duhet të shkaktojnë dëm ekonomik”, ka thënë Lars Stubbe nga ver.di, teksa ka shpjeguar vendimin raporton AP, transmeton Gazeta Enigma.
Sipas operatorit të aeroportit, rreth 280 ngritje dhe ulje u anuluan dhe 40,000 pasagjerë u prekën nga ky vendim.
Avionët në hyrje do të devijohen në aeroportin e Hanoverit, rreth 170 km larg, deri në njoftimin e mëtejshëm.
Shteti federal i Hamburgut është aktualisht në kohë pushimesh dhe shumë familje ishin nisur për pushimet e tyre në mëngjes. Fillimisht, sindikata “ver.di” kishte thirrur një grevë mbarëkombëtare në disa aeroporte gjermane për të hënën.
Sindikata “ver.di” që përfaqëson stafin tokësor të aeroportit ka njoftuar grevën të premten për t’u dhënë kohë udhëtarëve për t’u përgatitur. Ajo ka thënë se punëtorët që do të hyjnë në grevë përfshijnë ata që shërbejnë në aeroportet: Mynih, Shtutgart, Frankfurt/Main, Këln/Bonn, Düsseldorf, Dortmund, Hanover, Bremen, Hamburg, Berlin-Brandenburg dhe Leipzig-Halle.
Rreth 3,400 fluturime pritet të anulohen të hënën.
Negociatorët e sindikatës kërkojnë kushte më të mira pune, paga më të larta dhe ditë shtesë pushimi, ndër të tjera.
Përveç ndërprerjeve masive të udhëtimit, greva mund të ketë gjithashtu një ndikim të madh ekonomik në hotele, restorante dhe shitës me pakicë. /Gazeta Enigma