Ndalimi i abortit në Arizona, rikthen në fushatën presidenciale temën e të drejtave riprodhuese

Ndalimi i abortit në Arizona, rikthen në fushatën presidenciale temën e të drejtave riprodhuese

Të drejtat riprodhuese janë vendosur përsëri në qendër të fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ndërsa kandidati republikan Donald Trump u distancua nga vendimi i Gjykatës së Lartë të Arizonës që ndaloi pothuajse të gjithë abortet në këtë shtet. Ekipi i fushatës së Preidentit Biden thotë se përgjegjës për humbjen e të drejtës së abortit është zoti Trump.

Këtë javë Donald Trump bëri të ditur qasjen e tij mbi kufizimet për të drejtën për abort, por shmangu një qëndrim të qartë mbi propozimin për ndalimin e abortit në nivel kombëtar, që mbështetet nga anëtarë të njohur të partisë së tij.

“Shtetet do të jenë ato që do të vendosin përmes një votimi apo legjislacioni ose ndoshta të dyja. Vendimi i shteteve duhet të jetë ligji përfundimtar”, u shpreh Donald Trump, kandidati republikan për President.

Një ditë pas kësaj deklarate, Gjykata e Lartë e Arzionës vendosi ndalimin e pothuajse të gjitha aborteve, duke kërkuar zbatimin e një ligji të vitit 1864, që nuk lejon abortin as në rastet e përdhunimit apo të incestit.

Ish presidenti Trump tha se ky vendim shkon shumë larg.

“Siç e dini është e drejta e secilit shtet që të vendosë (për abortin). Kjo çështje do të rregullohet dhe jam i sigurt se guvernatorja dhe çdo kush tjetër do e kthejnë atë brenda kufijve të arsyeshëm, besoj se është një çështje që do trajtohet mjaft shpejt”, tha ai.

Guvernatorja e Arizonës, demokratja Katie Hobbs veproi me shpejtësi për të bllokuar prokurorët e shtetit që të hetojnë gratë që abortojnë si dhe mjekët që i ndihmojnë ato.

“Refuzoj që prokurorët ekstremistë të këtij shteti të përdorin këtë ndalim të së drejtës për abort për të burgosur gratë që kërkojnë kujdes mjekësor si edhe doktorët që e ofrojnë atë. Adiministrata ime ka zgjeruar qasjen ndaj kontraceptivëve në rang shtetëror”, tha guvernatorja e Arizonës Katie Hobbs.

Related Articles