Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se projektet në Prishtinë do të vazhdojnë dhe do të përfundojnë me intensitet të shtuar, pavarësisht pengesave që sipas tij po i bëhen nga pushteti aktual.
Gjatë një vizite në punishtet kryesore të kryeqytetit bashkë me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, Abdixhiku është zotuar për përfundimin e projekteve madhore infrastrukturore.
Në një postim në Facebook, ai ka përmendur projektin e “Rrugës A”, për të cilin ka thënë se do të përfundojë para fundit të muajit shtator. Sipas tij, kjo rrugë, që lidh Veternikun me Bregun e Diellit përmes Rrugës B, do të sjellë një ndryshim të madh në kryeqytet.
Po ashtu, Abdixhiku ka përmendur edhe rrugën e Arbërisë dhe kyçjen në rrethin e madh afër stacionit, që pritet të përfundohet në të njëjtën periudhë kohore. Ai ka theksuar se po punohet me ritëm të ri për ta shkarkuar trafikun në qytet.
Një tjetër projekt që u përmend është “Ishulli Urban” në lagjen Arbëria, për të cilin Abdixhiku tha se po dinamizohet me ekipe shtesë me qëllim që banorët të kenë qasje më të shpejtë në qendër të qytetit.
Abdixhiku ka kritikuar edhe ata që, sipas tij, po tentojnë të pengojnë punën në kryeqytet, duke aluduar në vendime të institucioneve që, siç tha ai, ndalojnë edhe pastrimin e pluhurit në hapësira si Teatri Dodona.
“Kur perdja e pushtetit joligjor bie, krimet mbesin”, ka shkruar ai, duke paralajmëruar se ata që sot e pengojnë punën, mund të përballen me pasojat nesër.
“Kohë për të humbur nuk kemi. Punët do të bëhen. Prishtina po sheh.”