Deputetët e opozitës kanë mbajtur një konferencë për media përpara RTK-së, pasi mediumi publik e ndali transmetimin e seancës së jashtëzakonshme të kuvendit në kanalin qendror.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se ky është kulmi i pafytyrësisë dhe i asaj pak shprese që sipas tij ka mbetur, se dikush mund të frymojë lirshëm në Kosovë dhe t’i kryej detyrat dhe autorizimet ligjore sipas moralit dhe ndershmërisë.
“Seanca nuk u transmetua në kanalin zyrtar të RTK-së, që nënkupton mbytje të zërit të deputetit, fshehje nga e vërteta nga skandalet që po shpërfaqen çdo ditë për afera korruptive dhe kjo nënkupton se po mbytet edhe zëri i qytetarëve përmes përfaqësimit që e kanë deleguar në kuvend”.
“Ky reagim i yni është thirrje për qytetarët, për punëtorët pas nesh, e thirrje edhe për atë pak moral që iu ka mbetur në sedrën e tyre që kjo nuk duhet të lejohet, kjo duhet të parandalohet dhe demokracia në vend nuk mund të mbytet”, tha Zemaj.
Tutje, ai tha se nëse dikush mendon që të udhëheq me parapolitikë në Kosovë, sipas tij, “kjo i takuar dhe i takon kohës kur regjimi serb i ka mbyllur dyert e përfaqësuesve shqiptarë në mediumin e atëhershëm të pavarur, Radio Televizionin e Prishtinës”.
“Sot i bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë mendje të shëndosh që kjo mënyrë se si përformon qeveria me parapolitikën, duhet të ndërpritet”, deklaroi deputeti.
“9 shkurti tashmë është i largët kur këta do ta marrin çmimin për atë çka i kanë bërë qytetarit dhe çka po tentojnë t’i bëjnë në këta muaj të mbetur, duke e varfëruar e vjedhur e duke i pasuruar individët dhe grupet e tyre kriminale”, u shpreh më tej Zemaj.