Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka ndaluar një person lidhur me rastin e kanosjes së gazetarit Ermal Panduri.
Rasti ishte iniciuar më 22 korrik të këtij viti.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë iu njofton se si rezultat i veprimeve hetimore të ndërmarra nga Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar personin e dyshuar me inicialet Xh.K., i cili ka kanosur gazetarin E.P., gjatë kryerjes së detyrës së tij, përmes rrjetit social”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria ka shtuar se i dyshuari i lartcekur është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Kanosja”, sipas KPRK-së, derisa ndaj të njëjtit do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore.