Sot Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka marrë vendim për ndarjen e 100 eurove për studentët.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se qeveria të cilën ai udhëheq, e ka për bazë interesin e qytetarëve dhe se rritjen ekonomike e ndan me qytetarët.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Sipas Cakollit, ky vendim përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale.
Postimi i plotë:
Ndarja e 100 eurove për studentë nga Qeveria në detyrë, ashtu si edhe masat e tjera financiare, nuk janë aktivitete të domosdoshme, as të parapara me buxhetin vjetor apo planin e punës (i cili as nuk është publik). Rrjedhimisht, vendimet bien ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe kufizimet që ai parasheh për qeverinë në detyrë.
Në total, vlera financiare e masave të ndërmarra nga Qeveria në detyrë tashmë ka kaluar vlerën prej mbi 100 milionë eurosh, që tejkalon kufijtë e vendimmarrjes administrative për “çështje rutinore apo të domosdoshme”, duke hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe elektoral.
Përtej aspektit ligjor, miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale.
Një veprim i tillë cenon garën e barabartë zgjedhore, duke krijuar avantazh të padrejtë për kandidatët e subjektit politik që udhëheq qeverinë dhe ndikon në sjelljen e votuesve, sidomos tek grupet e ndjeshme si studentët.