Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka shprehur shqetësimin e thellë për ndërprerjet e shpeshta dhe të zgjatura të energjisë elektrike në territorin e komunës.
Sipas tij, këto ndërprerje po shkaktojnë vështirësi serioze për qytetarët dhe bizneset lokale.
Në një reagim zyrtar, Kastrati thekson se situata është veçanërisht e vështirë në këtë periudhë, kur temperaturat janë të ulëta, është afër festave të fundvitit dhe prezente është edhe diaspora.
Ai paralajmëron se ndërprerjet po ndikojnë negativisht në jetën e përditshme, funksionimin e shkollave, qendrave shëndetësore dhe shërbimeve komunale, si dhe po krijojnë pasoja ekonomike për bizneset.
Kryetari i Komunës ka bërë thirrje për veprime të menjëhershme nga Qeveria e Kosovës për trajtimin e situatës energjetike dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët e Malishevës. Ai ka kërkuar gjithashtu nga KEDS dhe KESCO sqarime për arsyet e ndërprerjeve dhe ndërhyrje urgjente teknike për evitimin e mungesës së energjisë.
“Qytetarët e Malishevës meritojnë trajtim të barabartë, ashtu si çdo komunë tjetër e vendit. Furnizimi me energji elektrike është një shërbim bazik dhe e drejtë themelore që duhet të garantohet pa përjashtime,” ka deklaruar Kastrati.
