Ka ndërruar jetë papritmas ish-drejtoresha e Arsimit në Shtime, asambleistja aktuale, Yllka Fejzullahu.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari Qemajl Aliu, i cili njoftoi se ajo vdiq nga një sëmundje e shkurtër.
“Lajm tronditës, fort i trishtë e pikëllues, humbja e parakohshme e Drejtoreshës Yllka Fejzullahu Bashkaktivistja e ditëve të para të Lëvizjes, mikja jonë e shquar, asambleistja jonë e parë në Kuvend Komunal, Kryetarja e GVV-së, vajza shembullore e urtë, punëtore e intelektuale, na la duke na shkaktuar humbje të madhe.
Yllka ishte drejtoreshë e spikatur e arsimit, që me punën e kontributin e saj ishte frymëzim për çdo të re në komunën tonë, e cila i dha kahje reformës arsimore në Shtime”, theksoi ai.
“Ajo ishte e pakompromis ndaj parimeve dhe tërë jetën e kaloi me integritet të lartë e dinjitet të dalluar njerëzor, intelektual e kulturor. Si pinjolle e një familjeje me themel intelektual e kombëtar, në kulmin e karrierës së saj, pas një sëmundjeje të shkurtër, parakohshëm e në ditët e saj më të mira, na la duke na pikëlluar fort neve bashkaktivistëve të saj, por edhe të gjithë qytetarëve të Shtimes e më gjerë”.
“Yllka, do na mungosh shumë mikja jonë. U prehsh në paqe dhe shpirti yt i bardhë e i dëlirë u bëftë dritë” shkruan kryetari në njoftim.
