Ka ndërruar jetë ish-futbollisti kosovar, Arben Dubova.
I ndjeri kishte dhënë kontribut të madh në futbollin kosovar si lojtar, por u mundua që dijeninë e tij ta kalonte dhe ta transmetonte edhe tek brezat e rinj.
Federata e Futbollit të Kosovës përmes një telegrami e ka ngushëlluar familjen e të ndjerit dhe miqtë, por edhe krejt komunitetin sportiv.
“E nderuara Familje Dubova!
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të më të dashurit tuaj Arben Dubova, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, të KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit të Kosovës, të ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta. Arben Dubova ishte në mesin e atyre që dha kontribut të madh për futbollin ferizajas dhe në përgjithësi atë kosovar.
Ai asnjëherë nuk iu nda futbollit, derisa gjatë karrierës së tij u shqua si lojtar i spikatur dhe vetëmohues në fushën e gjelbër. Arbeni ishte aktiv edhe në ekipin e veteranëve të Ferizajt, teksa vlerat e lojës më të popullarizuar tek ne i transmetoi edhe tek brezat e rinj. Arbeni ishte një i pasionuar pas futbollit, derisa njihej për virtyte të larta njerëzore e sportive dhe ndër punëtorët më të dalluar sportivë në rajonin e Ferizajt.
Ikja e tij e hershme është humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për sportin kosovar, andaj familja e madhe e futbollit gjithmonë do ta kujtojë kontributin e tij. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës! Me respekt, Agim Ademi, president i FFK-së”, shkruan shtëpia e futbollit kosovar.