Së fundmi në opnionin publik është diskutuar për rritjen e çmimeve të ndërtesave.
Për këtë kanë folur edhe nga Shoqata e Ndërtuesve.
Këta të fundit kanë listuar edhe disa arsye se pse pritet të ndodh kjo.
Mungesa e fuqisë punëtore, ngritja e çmimit të materialit ndërtimor, poashtu ngritja e çmimit të tokave me koncesion, janë vetëm disa nga arsyet, njofton RTK, transmeton Gazeta Enigma.
Ndërtuesi Shefqet Pozhegu nga Shoqata e Ndërtuesve është shprehur se ‘Nuk do të ketë zbritje të çmimit për ndërtesa, por do të ketë vetëm rritje të çmimit’.
“Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në Kosovë. Poashtu edhe çmimet e materialeve janë në ngritje e sipër e poashtu edhe tokat që ne i marrim me koncesion ose përqindje edhe aty ka rritje të çmimeve. Janë këto dy a tre faktorë që na shtyjnë rreth ngritjes së çmimeve. Problemi është te fuqia punëtore sepse, nëse ka ngritje të pagave, fuqia punëtore rri e nëse s’ka rritje të pagave, atëherë ata ikin në Evropë”, tha ai.
Tutje ai shtoi se çmimi i metrit katror për momentin është 1350 euro deri në 1450 euro, varësisht nga zonat.
Ndërkaq Faton Hoxha është shprehur se çmimet do të varen nga kosto e punës dhe e materialit derisa shtoi se në mars do të shihen ndryshimet.
“Rritja ose ulja e çmimeve varet nga çmimet e materialeve dhe kostos së punës, e cila është në ngritje. Poashtu koncesioni për tokën ka shkuar në nivele shumë të larta. Të shohim se si po fillon viti dhe deri nga marsi mund ta dimë se si po shkojnë punët”, ka thënë ai.
Në publikimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë pati rritje për 0.9% në tre mujorin e tretë të vitit 2024, krahasuar me tre mujorin e dytë të po këtij viti.
Ndërkaq, krahasuar TM3 2024 me të njëjtën periudhë të vitit paraprak TM3 2023, Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 4.5%. Rritje kishte te energjia (20%), pagat (1.3%), materialet (0.7%), makineritë (0.4%) dhe kostot e tjera (0.2%), sipas ASK-së. /Gazeta Enigma