Ndeshja e së dielës mes Juventusit dhe Milanit, një përballje e drejtpërdrejt për top katërshe në Serie A, do të jetë vendimtare për të ardhmen e Cristiano Ronaldos dhe Gianluigi Donnarummas.
Ronaldo jeton për të luajtur në Ligën e Kampionëve, ndërsa as Donnarumma nuk dëshiron të mungojë më në garën më prestigjioze për klube. Milani është në pritje të një përgjigjeje nga portieri italian për vazhdimin e marrëveshjes. Por Donnarumma dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve dhe, sipas mediave italiane, kualifikimi i Milanit në këtë garë mund ta ndihmojë klubin ta bindë atë të qëndrojë.
Edhe Juventusi ndodhet në pozitë të vështirë po ashtu, për shkak të pagës së lartë prej 30 milionë euro në vit që Ronaldo e merr në një kohë pandemie. Thuhet se Ronaldo dëshiron të largohet, por Juve e ka të vështirë ta shesë portugezin këtë verë për shkak të kërkesave të tij të larta.
PSG-ja dhe Manchester Unitedi janë të interesuara për të dhe Ronaldo do të bëjë presion të madh për t’u larguar nëse Juventusi nuk kualifikohet në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.