Kryetrajneri i Dritës, Zekerija Ramadani, dhe kapiteni Besnik Krasniqi u paraqitën sot para mediave përpara ndeshjes së kthimit në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës ndaj FCSB-së.
Pas humbjes 3-2 në Bukuresht, ekipi nga Gjilani synon të përmbysë rezultatin duke shfrytëzuar avantazhin e fushës.
Ramadani premtoi një lojë agresive dhe pa kompromis, duke theksuar se gabimet nga ndeshja e parë do të korrigjohen: “Shumë e vështirë se sa ndeshja e parë. Por ne kemi bërë analizën tonë dhe do të përmirësojmë gabimet, sepse kishim 1-0 pastaj 2-0 dhe kjo është detyra më e vështirë për ta rimëkëmbur ekipin”.
“Pritet ndeshje agresive nga ana jonë, s’kemi çfarë të humbim, duhet të japim gjithçka dhe jam i bindur që nuk do të përsërisim gabimet nga ndeshja e parë. Por gjithmonë me respekt ndaj kundërshtarit, sepse e dimë kualitetin që e posedojnë, por brenda fushës zero respekt, sepse kemi qëllim të kalojmë raundin”.
Trajneri shtoi se humbja 3-2 në Bukuresht erdhi pjesërisht për shkak të mungesës së përvojës dhe disa gabimeve taktike, por theksoi besimin tek kualiteti psikologjik i skuadrës: “E para ishte ta shëroja veten nga ajo gjendje psikologjike pas 2-0 në 3-2, pastaj biseduam me futbollistët. Besoj që kemi marrë mësim që nuk duhet të dorëzohemi as kur jemi duke humbur takimin”.
Ramadani përfundoi duke vlerësuar organizimin e FCSB-së, por theksoi se mungesa e numrit 10 në ndeshjen e kthimit mund të ndikojë: “Në Bukuresht, numri 10 ka qenë më i miri, por nesër mungon. Nuk mund të them se individi mund të na dënojë, por si skuadër janë shumë të organizuar”.
Drita takohet me FCSB-në të enjten në Prishtinë, ku pritet një duel emocionues dhe vendimtar për kalimin në turin e ardhshëm të Ligës së Evropës.