Sipas ministrës se Ekonomisë, Artane Rizvanolli, murali që u përurua në Ditën e Evropës në oborrin e qeverisë, simbolizon më së miri të ardhmen e Kosovës.
E kur foli specifikisht për ndihmën e BE-së në energji, ministrja që ishte me veshje pak sportive, përmendi milionat e dhëna në kohë jo të mira për vendin.
“Kemi pasur një përkrahje të jashtëzakonshme nga BE-ja edhe për përballje me krizën. Brenda një afati shumë të shkurtër, BE ka vënë në dispozicion 75 milionë euro, që ka qenë vlera më e lartë për kokë banori në rajon për një shtet”, tha Rizvanolli.
Veç për energji, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se ky institucion është krah Kosovës edhe për një marrëveshje që thuhet se e afron shtetin me BE-në.
“Është e qartë po ashtu se është një vit i arritjeve në dialog. Kemi marrëveshjen e Ohrit dhe shpresojmë që kjo do të implementohet sa më shpejt që është e mundur. Duhet të përmend për këtë vit kam kënaqësinë që përfundimisht kemi përfunduar edhe çështjen e vizave”, tha Szunyog.
Edhe ekspozitat, koncertet e kurset e artit të rrugës ishin pjesë e ngjarjeve që shënuan Ditën e Evropës në Kosovë.