Ndizen qirinj në kujtim të 66 viktimave të femicidit në Kosovë

Ndizen qirinj në kujtim të 66 viktimave të femicidit në Kosovë

Gratë dhe të rinjtë e Vetëvendosjes ndezën qirinj pranë Teatrit Kombëtar të Prishtinës në kujtim të 66 grave të vrara si pasojë e krimit të femicidit gjatë periudhës 2000-2022 në Kosovë.

Deputetja Arijeta Rexhepi tha se për ne nuk janë vetëm numra, janë jetë grash të shuara dhunshëm e padrejtësisht.

“Sot, me ndezjen e 66 qirinjve, kujtojmë vrasjen e 66 grave e vajzave që nga paslufta e deri më sot. Për ne nuk janë vetëm numra, janë jetë grash të shuara dhunshëm e padrejtësisht. Të gjitha u vranë për të vetmen arsye sepse ishin gra, tha Rexhepi.

Ajo theksoi punën që deputetët dhe qeverisja po e bëjnë për luftimin e dhunës në familje përmes miratimit të ligjeve, ndryshimit të tyre dhe ndarjes së buxhetit për strehimoret që ofrojnë shërbime strehimi për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.

Ndërsa Dea Lala, aktiviste, foli për rëndësinë që duhet t’ia kushtojmë femicidit në vendin tonë duke u angazhuar njëherit në luftimin e normave patriarkale në shoqëri.

“Ne, solidarizohem me gjithsecilën vajzë dhe grua të prekur nga cilado formë e dhunës. Ne angazhohemi në luftimin e dhunës në bazë gjinore. Si në këtë 8 mars, që shënon ditën ndërkombëtare të gruas ashtu edhe cilëndo ditë tjetër, mbarë shoqëria, përfshirë të rinjtë e të rejat le të përpiqemi bashkërisht të angazhohemi në luftimin e femicidit, pushtetit patriarkal në vend, dhe t’i hapim rrugë të ardhmes pa dhunë e me një jetë ku ka siguri dhe dinjitet.”

“Drejtësi për vajzat dhe gratë e vrara. Barazi dhe siguri për të gjitha, kudo!”

Related Articles