Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se ndjekja e krimeve të luftës duhet të jetë prioritet i shoqërisë kosovare, duke theksuar se BE-ja do të ofrojë mbështjetjen e saj në këtë proces.
Sipas tij, Kodi i Procedurës Penale ka një rëndësi shumë të madhe dhe se duhet të adaptohet sa më shpejt.
“Krimet e luftës janë ndër krimet më të shëmtuara dhe më të rënda dhe ndjekja penale e kryerësve të këtyre veprave penale duhet të jenë prioritet për shoqëritë e dala nga lufta dhe koniktet e armatosura. Vetëm në këtë mënyrë mund të ofrojmë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre. BE mbështet këtë proces dhe mirëpret çdo progres… Është me rëndësi që këto procese të udhëhiqen nga ata, të cilët tashmë i kanë kryer këto dhe kanë përvojë të gjerë në ndjekjen penale të krimeve të luftës”, tha ai, teksa shtoi se monitorimi i gjykimeve mbetet me rëndësi fondamentale për të siguruar legjitimitetin e vet gjykimeve.
Ndërsa, Ambasadori i Britanisë së Bashkuar, Nick Abbott, tha se ndjekja dhe gjykimi i krimeve të luftës kanë nevojë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe rajonal.
“Kjo çështje është shumë me rëndësi dhe do të luaj rol ndryshues. Në të njejtën kohë, kemi nevojë për resurse dhe mjete. Në të njëjtën, kohë mendoj se kemi nevojë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe rajonal që të ndihmoj në këtë drejtim”, tha Abbott.