Emrin Flamur ia kanë vendosur prindërit. Por, më shumë me insistim të babit të tij, Hazir Shalës.
Kjo, për shkak se i njëjti ishte i burgosur për idetë e tij politike, e që ishin për flamur, për bashkimin e shqiptarëve e për gjuhë letrare.
Djali i Hazirit, Flamur Shala, i cili është prof.Asoc.Dr, thotë se vendosja e emrit Flamur ishte një lloj proteste, për të plotësuar kërkesën e patjetërsueshme, historike e kombëtare të identitetit kombëtar.
“Unë jam pagëzuar nga prindërit e mi, nga babai, Prof. Hazir Shala. Babai im, Prof. Hazir Shala, është njëri nga ata intelektualë që janë burgosur për idetë e tyre politike: për një flamur, për një gjuhë letrare e për bashkimin e shqiptarëve në një shtet. Ishte bashkëthemelues i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, grupi i të cilit kishte filluar së vepruari fshehtë që në fund të viteve 50-ta të shek XX, sa ishte student.”
“Kjo Lëvizje u zgjerua shumë deri në vitin 1964, deri në arrestimet dhe dënimet e rënda me burgje politike të shumë pjesëtarëve të saj. Lëvizja Kombëtare në Kosovë kishte vazhduar aktivitetet e saj edhe pas burgosjes së anëtarëve të saj, gjatë gjithë viteve 80-ta e 90-ta deri në Luftën e Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Shala
Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës(ASK), kanë dhënë statistika vetëm për 10 vjeteshin e fundit.
“Në 10 vjetshin e fundit në Kosovë, numri i personave me emrin Flamur është 104 persona”, thuhet në përgjigjen e ASK-së.
Kurse, kanë bërë të ditur edhe sa është numri i personave me emrin Vlorë, Valon e Marigona, shkruan Frontonline
“Vlora janë: 52 persona, Valon janë: 79 persona dhe Marigona janë: 139 persona”, kanë thënë nga ASK-ja.
Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
28 Nëntori i vitit 1912 shënoi një kthesë historike për popullin shqiptar, pasi që nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.
Shqipëria këtë vit shënon përvjetorin e 110 të pavarësisë