Në 10 vjetët e fundit numri i banorëve të Kroacisë është zvogëluar për 10 për qind

Në 10 vjetët e fundit numri i banorëve të Kroacisë është zvogëluar për 10 për qind

Enti statistikor i Kroacisë ka bërë të premten paraqitjen e rezultateve të regjistrimit të popullsisë që është zhvilluar në vitin 2021 dhe ato kanë shokuar opinionin dhe skenën politike.



Pikërisht në 30-vjetorin e njohjes ndërkombëtare të Kroacisë si shtet të pavarur, të dhënat kanë treguar se Kroacia ka humbur në ato 30 vite 1 milion banorë. Në regjistrimin e popullsisë në vitin 1991, Kroacia kishte 4.8 milionë banorë ndërsa tash ka pak më shumë se 3.8 milionë. Kroacia sot ka aq banorë sa kishte në vitin 1948.

Në 10 vjetët e fundit numri i banorëve të Kroacisë është zvogëluar për 10 për qind, apo për 400 mijë banorë. Pra për 10 vjet ky shtet ka humbur popullsinë sa së bashku kanë Spliti, Rijeka dhe Osijeku, tri qytetet më të mëdha pas Zagrebit. Edhe në katër qytetet e mëdha është zvogëluar numri i banorëve. Zagrebi ka më pak se 800 mijë banorë, Spliti ka 180 mijë banorë, Rijeka 160 mijë banorë ndërsa Osijeku ka rënë nën 100 mijë banorë.

Në disa rajone të Kroacisë si Sllavonia dhe Sremi, për 10 vjet numri i banorëve është zvogëluar për 20 për qind.

Kjo tragjedi demografike për Kroacinë ka ndodhur në dekadën në të cilën Kroacia është bërë anëtare e BE-së. Dhe kjo ka ndihmuar në rritjen e standardit, por me gjasë ka ndikuar edhe në përshpejtimin e largimit të qytetarëve sidomos të rinjve. Ekspertët pohojnë se numri i banorëve të Kroacisë është akoma më i vogël sepse në këtë regjistrim mund të jenë përfshirë edhe ata që kanë shkuar për të punuar në vendet e BE-së por nuk janë çregjistruar nga vendbanimi i tyre në Kroaci.

Zvogëlimi dramatik i numrit të banorëve është një fenomen në shumë vende të Evropës lindore, qofshin ato anëtare të BE-së apo jo.

Kroacia ka bilanc negativ të migracionit. Më shumë njerëz janë larguar nga Kroacia sesa kanë ardhur, por ka edhe një bilanc shumë negativ të zvogëlimit natyror të popullsisë, më shumë vdekje sesa lindje. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles