Vetëm njëra prej tetë ekipeve të mbetura në garë për Kupën FA, Manchester City, e ka fituar trofeun e rëndësishëm këtë shekull. Katër skuadrat e tjera, Bournemouthi, Brightoni, Crystal Palace dhe Fulhami, asnjëherë nuk e kanë fituar trofeun e Kupës FA.
Aston Villa dhe City janë prej skuadrave të mëdha që kanë mbetur në garë dhe rrjedhimisht janë favorite për të triumfuar.
Aston Villa për herë të fundit e ka fituar trofeun e Kupës FA në vitin 1957.
Të shtunën nga ora 13:15 dhe 18:15 luhen çerekfinalet e para, Fulham – Crystal Palace dhe Brighton – Nottingham Forest.
Nottingham Foresti nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e sulmuesit kryesor, Chris Wood. Futbollisti që përfaqëson Zelandën e Re, u lëndua në kualifikimet për Kupën e Botës këtë javë, në finalen ndaj Kaledonisë së Re. Me triumfin 3:0, Zelanda e Re e siguroi avancimin në Botëror dhe u bë përfaqësuesja e dytë pas Japonisë që e siguron biletën për në ngjarjen globale. Wood u zëvendësua në minutën e 53-të.
Të dielën në orën 14:30 dhe 17:30 janë në program duelet tjera çerekfinale të Kupës FA, Preston – Aston Villa dhe Bournemouth – Manchester City.
Këtë fundjavë nuk do të ketë ndeshje të Premier Leagues. Në elitën angleze kanë mbetur edhe nëntë xhiro.
Liverpooli është i pari me 70 pikë, ndërsa Arsenali i dyti me 58 pikë.