Organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është shënuar sot 85-vjetori i lindjes së Bekim Fehmiut dhe është bërë ndarja e çmimeve kombëtare vjetore për kinematografi që mbajnë emrin e aktorit me famë botërore.
Afrim Spahiu është shpallur fitues i çmimit kombëtare për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”, ndërsa regjisorja More Raça ka marrë çmimin vjetor për kinematografi “Bekim Fehmiu”.
Gjatë kësaj ceremonie, që u mbajt në Kino Armata në Prishtinë, përveç shënimit të 85-vjetorit të aktorit Fehmiu dhe ndarjes së çmimeve për kinematografi, është shfaqur edhe filmi “Mbledhësi i puplave”, ku në rolin kryesor luan Bekim Fehmiu.
Duke folur për figurën e Bekim Fehmiut, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ai është figura qendrore e identitetit jo vetëm shqiptar.
“Sa është i yni, po aq edhe i të tjerëve, sa shqiptar aq edhe universal. E ndjej obligim edhe personal edhe shtetëror nderimin, ruajtjen dhe dokumentimin e veprës dhe jetës së Bekim Fehmiut”, ka thënë Kurti.
Agon Fehmiu, familjar i aktorit të famshëm, është shprehur se Kosova e ka nderuar Fehmiun.
“Me emërimin e çmimit për kinematografi me emrin e tij dhe me lansimin e pullës postare me figurën e tij, Kosova e ka nderuar Bekim Fehmiun”, ka thënë Agon Fehmiu.
Ai ka lexuar një letër të bashkëshortes dhe djemve të Bekim Fehmiut enkas për këtë përvjetor. Kujtim nga bashkëpunimi me Bekim Fehmiun ka ndarë edhe Milazim Salihu dhe Enver Petrovci, miq të aktorit të njohur.
Gjatë kësaj ceremonia u bë e ditur se MKRS ka themeluar një grup punues për hartimin e planit shtetëror për nderimin, mbrojtjen, dokumentimit dhe promovimin e veprës dhe jetës së Bekim Fehmiut.
Bekim Fehmiu ishte aktor shqiptar nga Kosova. Ai lindi në Sarajevë më 1 qershor 1936 dhe vdiq më 15 qershor 2010 në Beograd.
Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Me rolet e tij në filmat: “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, ai la gjurmë në kinematografinë botërore.