Nderohet Bekim Fehmiu në 85-vjetorin e lindjes së tij, Kurti: Mbetet identiteti jonë kulturor

Nderohet Bekim Fehmiu në 85-vjetorin e lindjes së tij, Kurti: Mbetet identiteti jonë kulturor

Zyrtarë institucional dhe komuniteti artistik kanë nderuar figurën e Bekim Fehmiut, në 85-vjetorin e lindjes së tij, në një ceremoni përkujtimore të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kryeministri Albin Kurti tha se Bekim Fehmiu mbetet figurë qendrore e identitetit tonë kulturor.

“Në kujtesën tonë kolektive gdhenden ngjarje të rëndësishme e figura të mëdha. Një nga figurat qendror të identitetit kulturor është edhe Bekim Fehmiu. Ai ishte i yni aq sa ishte i të tjerëve. Ai me rolet e tij shpaloste talent të rrallë artistik. E ndjejë si obligim moral e shtetërore mbrojtjen e figurës së tij”.

Kurti premtoi kujdes të veçantë nga Qeveria për veprat e Fehmiut.

“Qeveria e Kosovës me kujdes do të kuroj një program vjetor për veprat e tij. Bekim Fehmiu nuk është fizikisht me ne por të gjithë njerëzit e artit kanë arsye ta urojnë ditëlindjen e tij njëri- tjetrit”, shtoi ai.

Agon Fehmiu në emër të familjes falënderoi të gjithë për pjesëmarrje.

“Në emër të familjes ju përshëndes përzemërsisht ju falënderojmë të gjithë ata që kanë respektuar emrin e Fehmiut tonë. Dua të ju përcjell të falat e profesor Arsim Fehmiu vllaut të madh të Bekimit i cili është me Covid dhe nuk mund të jetë në mesin tonë”, ka thënë ai.

Ndërsa, aktori Enver Petrovci tha se kush respekton sot Fehmiun respekton edhe veten.

“Ju falënderoj që po e respektoni mikun tonë sepse duke respektuar atë e respektoni dhe vetën. Pata shumë me thënë por kryeministri Kurti m’i mori të gjitha mendimet por vetëm një gjë e them:  Gjithmonë në Beograd për ditën e flamurit ai vinte i veshur thuajse po shkonte te mbreti. Vinte në banesën timë dhe ma uronte”, u shpreh ai.

Në këtë ceremoni u bë edhe ndarja e Çmimit Vjetor për Kinematografi. 

Çmimi për veprën jetësor “Bekim Fehmiu” të Kinematografisë është ndarë Afrim Spahiut i cili tha se Bekimi sa herë që i shihte nga largësia në Beograd u jepte një shikim që tregonte butësi e humanitet dhe që u jepte zemër të impresionoheshin të arrinin në ato shkallë që ai kishte arritur.

More Raca mori Çmimin vjetor për kinematografi e cila tha se Kosova ka një kinematografi në zhvillim që përkundër sfidave punojnë shumë për krijime të suksesshme.

Related Articles