Në natën e dytë të festivalit të dramës “Talia e Flakës” në Gjilan, publiku ndoqi shfaqjen “Sytë e Ujkut”, një produksion i Teatrit Eksperimental që vepron në kuadër të OJQ-së “Integra”.
Siç theksohet në komunikatën e Komunës së Gjilanit shfaqja trajton me ndjeshmëri dhe thellësi stigmatizimin shoqëror në Kosovën e pasluftës, duke sjellë një rrëfim të fuqishëm mbi traumën, heshtjen dhe pasojat e konfliktit mbi familjet dhe individët.
Ekipi artistik përbëhet nga: autore Doruntina Basha, regjisor Kushtrim Koliqi, dhe aktorët: Irena Aliu, Edona Reshitaj, Armend Smajli e Albina Krasniqi, të cilët i kanë dhënë jetë një historie të ndjeshme dhe sfiduese, duke portretizuar tri breza grash dhe marrëdhëniet e tyre komplekse me një botë të dhimbshme.
Qysh në prolog, publiku orientohet drejt vendit të ngjarjes përmes figurës së gjyshes, e cila shfaqet në karrocë invalidore, e prekur nga sëmundje ortopedike. Ajo udhëheq publikun drejt shtëpisë së largët malore, lart mbi një fshat të vogël, ku jetojnë gjyshja, nëna dhe vajza e vogël.
Ky prolog simbolik krijon një mikrokozmos të mbyllur, ku trauma, izolimi dhe kujtesa e dhimbshme ndërthuren në një hapësirë skenike që nuk është vetëm gjeografike, por edhe mendore dhe emocionale.
Pas prologut, bie në sy qetësia absolute e gjyshes, ndërsa nëna zhvillon rutinën e përditshme, e veshur me rroba pune, duke ndërtuar paralelisht “mure” komunikimi me vajzën dhe duke u tërhequr në botën e saj të mbyllur.
Kjo bën që publiku të përceptojë heshtjen dhe izolimin e brendshëm si pjesë integrale të rrëfimit, duke reflektuar botën e brendshme të nënës, që Molieri do ta kishte quajtur “mizantropi” – personazh i mbyllur në vetvete dhe i tërhequr nga një realitet i dhunshëm dhe i dhimbshëm.
Vajza e vogël, duke hyrë në pubertet, ngre tensionin emocional dhe frikën se e vërteta rreth lindjes së saj mund të zbulohet, duke thelluar atmosferën e dhimbjes dhe stigmatizimit familjar.
Skenografia modeste, por funksionale, mbështet veprimet skenike dhe krijon një tablo të mbyllur emocionalisht, ku trauma dhe heshtja ndër breza bëhen të prekshme. Muzika, e integruar në formën e këngëve të traditës që i këndon nusja, shërben si mjet shprehjeje dhe si mënyrë për të mbizotëruar dhimbjen që rëndon shpirtërisht personazhet.
Një vlerë e veçantë e shfaqjes është rrjedhshmëria dramaturgjike: prologu, thurja e konfliktit, kulminacioni dhe epilogu janë të ndërtuara me kujdes dhe harmonizim të ritmit. Regjisori Kushtrim Koliqi, ka dëshmuar përkushtim dhe afinitet për të mbajtur publikun të vëmendshëm deri në momentin final, kur dhunuesi rikthehet në ish-kasollen, tashmë të riparuar dhe zgjeruar, duke u përballur me pasojat e veprimeve të tij.
Shfaqja u përcoll me diskutime dhe vlerësime nga publiku, kryesisht pjesëtarë të jetës publike dhe artistike. Opinione të ndryshme varionin nga kritika e matur deri te miratimi për qasjen regjisoriale dhe trajtimin e temës. Ky diskutim pas-shfaqjes e konfirmoi rolin e festivalit si hapësirë dialogu dhe shkëmbimi mendimesh për artin skenik.
Pa dyshim, festivali i dramës shqipe “Talia e Flakës” ka një rëndësi të veçantë për artistët dhe krijuesit shqiptarë, pasi për shumë vite është shndërruar në një “vulë identiteti artistik”, që reflekton nivelin e lartë të veprave dramatike, seriozitetin e shfaqjeve dhe përmbajtjen artistike të teatrove nga gjithë hapësira shqiptare.
Ai sjell një platformë serioze dhe të respektuar për promovimin e krijimtarisë teatrale dhe zhvillimin profesional të artistëve.
“Festivali, do të vazhdojë edhe në netët në vijim, ku publiku artdashës gjilanas dhe vizitorë nga qytete të tjera do të kenë mundësi të ndjekin tri shfaqje të radhës sipas kalendarit të paraparë, nga Teatri i Ferizajt, Teatri i Gjilanit dhe Teatri Kombëtar i Kosovës, duke kompletuar programin e këtij edicioni teatror dhe duke ofruar një panoramë të pasur të teatrit shqip”, thuhet në njoftimin e komunës.
