Në Gjilan vendoset gurthemeli për banesa për çiftet e reja, Kurti: Në fillim të mandatit patëm filluar me përgatitjet

Në Gjilan vendoset gurthemeli për banesa për çiftet e reja, Kurti: Në fillim të mandatit patëm filluar me përgatitjet

Sot është vënë gurthemeli i objektit për banimin e përballueshëm dhe social në Gjilan, ku të pranishëm ishin kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si dhe zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka.

Me këtë rast, kryeministri Kurti bëri të ditur se Komuna e Gjilanit është njëra ndër pesë komunat për të cilat janë hartuar projektet ideore dhe kryesore për banimin e përballueshëm dhe social.

“Qysh në fillim të mandatit patëm filluar me përgatitjet për banimin e përballueshëm social për komunat dhe këtu në Gjilan po e kurorëzojmë themelin,” deklaroi Kurti.

Ai shtoi se do të ndërtohen gjithsej 71 njësi banimi, prej të cilave 57 do të jenë për banim të përballueshëm dhe 14 për banim social. Sipas tij, sipërfaqja e përgjithshme ndërtimore do të jetë 12 mijë metra katrorë, dhe objekti do të përfshijë katër tipe të ndryshme banesash, ndërsa kohëzgjatja e kontratës së ndërtimit është paraparë të jetë 3 vjet.

Kurti theksoi gjithashtu se përfitues nga ky projekt do të jenë çiftet e reja që ende nuk e kanë të zgjidhur problemin e banesës – me kusht që njëri nga partnerët të jetë nën moshën 37 vjeç – si dhe prindërit vetushqyes.

Ai përmendi se ky është një projekt i bashkëfinancuar mes komunës dhe ministrisë, ku Komuna e Gjilanit kontribuon me lokacionin dhe ndërtimin e infrastrukturës përcjellëse.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, deklaroi se Gjilani është një nga komunat që ka arritur të plotësojë kërkesat për këtë projekt jetik për qytetarët.

Nga ana tjetër, zëvendësministri Jeton Raka tha se ky projekt ka për synim të mundësojë një jetë më të denjë dhe më të përballueshme për të gjithë qytetarët.

“Qeveria në vitin 2021 ka miratuar Agjendën Qeveritare për Banim të Përballueshëm dhe Social, ku kemi bërë edhe thirrje publike për komunat,” tha ai, duke shtuar se kësaj thirrjeje i janë përgjigjur vetëm 13 nga gjithsej 38 komuna të vendit.

Related Articles