Kryetari i Nisma Social Demokrate , Fatmir Limaj, ka folur për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Ai ka thënë se është i vetëdijshëm për anën shpirtërore të prindërve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, të Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve, por u shpreh i bindur se krenaria e tyre është më e madhe.
“Kjo dhimbje është e brendshme, por jam i bindur që krenaria është më e madhe. Krasniqi e ka një jetë në shërbim të vendit, kanë jetuar me rreziqet. Edhe këta shokët e tjerë, familjet e tyre janë mishëruar në rrugëtimin e lirisë”, ka thënë Limaj në ATV.
Limaj poashtu foli për takimin me babanë e Thaçit.
“Me e pa prindit e shokut të luftës është njëjtë si me pa prindin tënd. Jam i bindur që ai kur na ka parë neve e ka parë një pjesë të historisë së djalit të tij. Kemi ndenjur gjatë dhe kemi shkëmbyer kujtime, ka qenë një takim shumë emocional dhe krenar”.
“Ai është kryelart, krenar për fëmijën e vet, krenar për djalin e tij. Historia e Kosovës, çdo gjë, ka shenja dhe emrat e tyre. Askush s’mund ta ndryshoj këtë histori. Krejt çka ka arritur Kosova në këto vjet, edhe në gjurmët e lirisë janë emrat e këtyre njerëzve që janë në Hagë dhe shumë të tjerëve që janë në Kosovë”, u shpreh Limaj