Në gjysmë të gushtit, punëtorët e Postës ende pa paga të korrikut

Në gjysmë të gushtit, punëtorët e Postës ende pa paga të korrikut

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në gjysmën e dytë të muajit gusht, përderisa punëtorët e ndërmarrjes publike, Posta e Kosovës, ende nuk i kanë marrë pagat e muajit korrik.

Për vonesat e pagave të punëtorëve, menaxhmenti i ndërmarrjes fajëson menaxhmentin e ndërmarrjes tjetër publike, Telekomi i Kosovës, për mospagesë të borxheve, si dhe mos kompensimin e humbjeve për ofrimin e Shërbimit Universal Postar, që nga viti 2014, nga Ministria e linjës.

“Vonesa në procedim të pagave është rezultat i gjendjes financiare të ndërmarrjes, që ka rezultuar nga pamundësia e inkasimit të borxheve të akumuluara nga Telekomi i Kosovës, si dhe nga mos kompensimi i humbjeve për ofrimin e Shërbimit Universal Postar, që nga viti 2014, nga Ministria e linjës”,  kanë bërë të ditur për Front Online nga Posta e Kosovës, përcjellë Gazeta “Enigma”.

Tutje në përgjigjet e Postës, thuhet se menaxhmenti i kësaj ndërmarrje është duke u angazhuar që punëtorët t’i marrin pagat sa më parë.

“Menaxhmenti i PK Sh.A. është duke u angazhuar maksimalisht që në afatin sa më të shkurt kohor të procedojë pagesat e pagave të punonjësve”, kanë bërë të ditur nga Posta.

Përndryshe, gjendja e rëndë financiare në dy ndërmarrjet publike, Posta dhe Telekomi i Kosovës, është rezultat i mbi punësimit, si dhe nënshkrimit të kontratave të dëmshme nga menaxhmentet e kaluara.

Related Articles