Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet lokale po vazhdon në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), ndërsa në katër komuna ky proces është përmbyllur plotësisht – në Han të Elezit, Junik, Mamushë dhe Zveçan, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të martën.
Sipas KQZ-së, deri në orën 16:00 të ditës së martë, procesi është përmbyllur në këto katër komuna, ndërsa në të njëjtën kohë ka filluar puna në tri Qendra të tjera Komunale të Numërimit – në Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot, të cilat gjatë paradites kishin pasur probleme me internetin.
Në njoftim theksohet se në QKN-të po zhvillohen njëkohësisht tre aktivitete kryesore:
Verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për kryetarë të komunave,
Verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për kuvendet komunale,
Numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të kuvendeve komunale.
Sipas të dhënave të deritanishme, deri në orën 16:00 janë verifikuar rezultatet për 550 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë komunash dhe për 334 vendvotime nga zgjedhjet për kuvendet komunale. Po nga këto 334 vendvotime janë numëruar edhe votat e kandidatëve për anëtarë të kuvendeve komunale.
KQZ ka bërë të ditur se në platformën e saj tashmë kanë filluar të publikohen rezultatet e verifikuara nga QKN-të.