James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deklaroi se gjatë kohës që ka qenë në Kosovë nuk ka parë asgjë që i ngjason Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Dëshmitari tha se përveç mungesës së një Shtabi, ai nuk ka parë asgjë që i ngjante një gjenerali.
“Unë nuk kam parë asgjë në Kosovë që i përngjante Shtabit të Përgjithshëm. Nuk ka pas ndonjë Shtab për gjeneralët në kontekstin e Kosovës. Unë s’kam pa ndonjëherë gjeneral. Unë s’kam pa ndonjëherë Shtab të Përgjithshëm të gjeneralëve”, tha Rubin.
Referuar librit të Rexhep Selimit ku ai shkruan për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe pajtimit të tyre për nënshkruarjen e Marrëveshjes së Rambujesë – Rubin i qëndroi asaj se ishin disa komandantë dhe liderë të luftës, por si “Shtab të Përgjithshëm” nuk do ta kualifikonte.
“Unë nuk di kurrë të ketë raportuar (Hashim Thaçi) te Shtabi i Përgjithshëm, kurrë s’kam vëzhguar ekzistencë të një Shtabi të Përgjithshëm. Çka e di është që Thaçit i duhet të konsultohej me liderët politikë dhe ushtarakë”, tha ai.