Në seancën e së mërkurës të Kuvendit të Spanjës, dy deputetë të Dhomës së Ulët në Kongresin e Deputetëve i kanë bërë thirrje kryeministrit Pedro Sanchez ta njohë pavarësinë e Kosovës
Deputeti Aitor Esteban ka deklaruar se tashmë Spanja dhe Kosova janë përballur në një ndeshje futbolli.
“Sa i përket Kosovës, njiheni sepse veç ka pasur ndeshje futbolli tashmë”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq deputetja Mertxe Aizzpurua ka deklaruar se është koha që Spanja ta njohë sovranitetin e Kosovës.
“Është koha për ta njohur sovranitetin dhe legjitimitetin e Kosovës si shtet i plotë. Sepse është shtet i dalë nga dëshira e popullit. Nuk duhet t’ia kthejmë shpinën demokracisë apo vendimit të publikut, as për Ballkan, as për këtë shtet”, ka deklaruar Aizpurua.
Kujtojmë se Kosova dhe Spanja janë ballafaquar më 8 shtator të këtij viti në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror që zhvillohet vitin e ardhshëm.
Kjo ishte ndeshja e dytë, pasi Kosova dhe Spanja ishin përballur edhe në Sevilla./Gazeta Enigma/