Këtë të shtunë janë bërë një vit që kur humoristi i njohur kosovar, Rasim Thaçi, i njohur për publikun e gjerë si Cima, humbi betejën me COVID-19 në moshën 71-vjeçare.
Cima u bë i njohur gjatë viteve ’80 si pjesë e grupit “Treshi përsheshi”, ku bënin pjesë edhe i ndjeri Ibrahim Krajkova – Leci dhe Sevdai Radogoshi – Qumili.
Ai ka lënë pas vetës një bagazh të madh artistik me qindra skeçe të humorit.
Në njëvjetorin e vdekjes, në Ministrinë e Kulturës, bashkë me anëtarët e familjes, miqtë dhe bashkëpunëtorët u kujtua Cima, njofton Klankosova.tv
Në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti vajza e Rasim Thaçit, Adelina, e cila falënderoi ministrin për organizimin dhe të pranishmit për prezencën, ndërsa shtoi se ndjehet krenare me veprimtarinë që la pas babai i saj.
“Sa herë të kujtojmë ne në familje, e sa herë të kujtojnë njerëzit e këtij nën qielli babë, na kthehet fuqia, optimizmi, buzëqeshja dhe dashuria për njeriun e këtij vendi dhe për këtë vend”, shtoi ajo.
“Rasim Thaçi do të mbetet gjithmonë ikonë e kulturës tonë ndërsa do të kujtohet për veprimtarinë e pasur artistike që ka lënë pas”, thonë nga Ministria e Kulturës./Gazeta Enigma/