Në Serbi po kryhen arrestime për akuza të panjohura në Kosovë

Në Serbi po kryhen arrestime për akuza të panjohura në Kosovë

Autoritetet serbe po vazhdojnë të arrestojnë shtetas të Kosovës, nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës në fund të viteve ’90.

Personi i fundit i arrestuar është Tefik Mustafa, i cili është ndaluar në pikën kufitare Merdare – mes Kosovës dhe Serbisë – më 1 qershor.

Në të njëjtën kohë, shtetasit tjetër të Kosovës, Sadik Durakut, i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për 30 ditë. Ai është ndaluar në Serbi, më 17 prill të këtij viti.

Kosova akuzon Serbinë për arrestime arbitrare dhe kërkon reagimin e vendeve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian.

Institucionet serbe nuk janë prononcuar për media, dhe as Prokuroria për krime lufte e Serbisë, nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë, nëse ekziston një listë e shtetasve të Kosovës – shqiptarë – të cilët dyshohen për krime lufte.

REL-i nuk ka marrë përgjigjje as në pyetjen nëse Serbia shkëmben kërkesat gjyqësore me Kosovën, në përputhje me Marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike, përmes BE-së.

Në raportin vjetor për vitin 2023, Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës e ka përmendur nevojën e madhe të bashkëpunimit ndërmjet prokurorive speciale të Kosovës dhe Serbisë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se, Kosova, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi, ka kërkuar që të sqarohen arsyet e arrestimit të Tefik Mustafës.

Ministria, gjithashtu, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë hapa për lirimin e menjëhershëm të tij.

“Njëkohësisht të kërkohet përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive, dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

As Ministria e Drejtësisë, dhe as Ministria e Punëve të Jashtme në Beograd, nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për koment mbi këto pretendime nga autoritetet kosovare.

Më herët, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë pati thënë se Mustafa, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është përmendur në deklaratat e dëshmitarëve si pjesëmarrës në kidnapimin e tre policëve serbë në Kosovë.

“Pas këtij akti, policëve u është humbur çdo gjurmë”, thuhej në atë deklaratë./REL

Related Articles