Kartat grafike për kompjutera janë një nga pajisjet më të kërkuara të momentit në pikat ku tregtohen pajisjet kompjuterike. Por për çfarë përdoren? Pjesa më e madhe e kërkesave janë për prodhimin e monedhave virtuale. Tregtuesit e këtyre pajisjeve tregojnë se ka pasur një kërkesë të vazhdueshme me një fluks të shtuar në 6-7 mujorin e fundit. Çmimet e tyre variojnë nga 2 deri në 4 mijë euro.
Me gjithë çmimin stratosferik që thuajse është katërfishuar sipas tyre gjatë kësaj periudhe, kërkesa për blerjen e tyre nuk po njeh rënie, një trend që po konstatohet edhe në vende të ndryshme të botës, ku ka marrë hov zhvillimi i kriptovalutave në mënyrë të ligjshme ose jo. Përveç kartave grafike, tregtuesit shpjegojnë se javët e fundit ka pasur një kërkesë të shtuar edhe për SSD dhe hardisqe, variante që kanë shumë hapësira në arkiva që përdoren po për prodhimin e monedhave dixhitale.
Përveç dyqaneve fizike, një brom kërkesash konstatohet edhe në dyqanet online. Me një kërkim të thjeshtë nëpër faqet online që shesin pajisje kompjuterike rezulton se për kartat grafike me vlerë nga 1 deri në 2 mijë euro nuk ka gjendje ose janë në sasi të pakta.
Edhe në dyqanet më të mëdha online në botë këto pajisje shoqërohen me mbishkrimin drejt fundit.
Fluksi i kërkesave për karta grafike e së fundmi për pajisje të tjera që përdoren për këtë qëllim ka bërë që të krijohet stok në dyqane për pjesën tjetër të pajisjeve që përdoren për lojëra apo shërbime të tjera. Kjo së bashku me rastin e fundit të pak ditëve më parë ku një vrasje në kryeqytet veç autorit zbuloi edhe pajisjet e prodhimit të monedhave dixhitale janë një sinjal që “minierat e monedhave virtual” po funksionojnë edhe në Shqipëri.
Kjo e fundit ka tashmë një ligj të miratuar prej gati një viti që legjitimon përdorimin e tyre, por ende i paplotë për t’u zbatuar në mungesë të zbardhjes së akteve nënligjore që janë drejt finalizimit. Aktualisht, vlera e monedhës virtuale më të njohur në botë Bitcoin ka arritur në 57 mijë dollarë, raporton Tch.