Me një mijë euro është gjobitur një qendër tregtare në Skenderaj pas dyshimeve për ngritjen ‘enorme’ të çmimeve.
Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ka bërë të ditur se nuk do të lejojnë të shfrytëzohet rasti për përfitim të paligjshëm.
“Nuk mund të ndryshojmë rrjedhën e tregjeve botërore, por mund të shtojmë mbikëqyrjen në qendrat tregtare dhe dyqanet ushqimore, nëse ato apo kushdo tjetër që bën tregti, luan me çmime, në këtë kohë pa kohë kur disa artikuj ushqimor dhe jo ushqimor kanë lëvizje të çmimeve”, ka shkruar ai.
Tutje ai ka shtuar se “nuk do të lejojmë të shfrytëzohet rasti për përfitim të paligjshëm, siç është rasti i sotëm në një prej qendrave tregtare, ku 1 litër vaj është shitur me çmim prej 3.49 euro, pavarësisht çmimit shumë më të lirë të furnizimit”.
Në gjobë thuhet se qendra tregtare nuk ka paraqitur faturat furnizuese dhe kalkulimet e çmimit shitës të produktit të vajit.
Ditëve të fundit në Kosovë përveç çmimit të naftës është vërejtur rritje e çmimeve edhe të disa prej produkteve esenciale ushqimore.
Disa nga produktet që kanë rritje të çmimeve është vaji, sheqeri dhe mielli.
Vendosja e çmimeve të njëjta, për të njëjtin produkt të brendeve të ndryshme, paraqet marrëveshje dhe është e ndaluar me ligj.
Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar masa për marketet që, sipas tij, po rrisin artificialisht çmimin e vajit dhe të produkteve në përgjithësi.
Pasi vizitoi një fabrikë të vajit në Gjilan, Kurti tha se inspektorët janë duke i dokumentuar shkeljet që po ndodhin me çmime./Gazeta Enigma/