Ambasada ruse në Shqipëri ka konfirmuar se në selinë e saj në Tiranë do të hapet një qendër votimi për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Rusi, të cilat janë caktuar për 17 mars.
Siç thuhet në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë, qytetarët rusë me të drejtë vote do të mund të votojnë ditën e zgjedhjeve. Në përgjigje, Ambasada ruse tha se do të njoftojë më vonë se në çfarë orari do të hapet qendra e votimit brenda ndërtesës.
REL-i po ashtu mori konfirmim nga Ambasada ruse në Shkup se qytetarët rusë në Maqedoninë e Veriut do të mund të votojnë në këtë ambasadë, duke mos dhënë më shumë detaje.
Megjithatë, REL-i nuk arriti të merrte informacione mbi mundësinë e votimit të qytetarëve rusë në Mal të Zi. Sipas të dhënave që REL-i ka siguruar nga Policia në Mal të Zi, që janë të korrikut të vitit 2023, në këtë shtet afër 25.000 rusë kanë leje qëndrimi.
Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, tri janë në listën ruse “të vendeve armike”, në të cilën aktualisht gjenden 49 shtete. Mes tyre janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Lista e “shteteve armike” është krijuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë në prill të vitit 2021, rreth dy muaj pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, të cilit Perëndimi iu përgjigj me sanksione kundër Moskës.
Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, në këtë shtet ajo ka një Zyre Ndërlidhëse.
Deri më tani nuk ka asnjë konfirmim apo mohim nga Moska se votimi për zgjedhjet presidenciale ruse do të mundësohet në ambasadat e ndonjërës prej “shteteve armike”, ku përfshihen edhe 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.