Qeveria e Kosovës ka propozuar që paga minimale në vend të jetë prej 264 euro bruto.
Ky propozim ka marrë kundërshtime nga sindikatat.
Sindikata e sektorit privat po kërkon që paga minimale për këtë vit të jetë 450 euro, ndërsa për vitin 2024 të arrijë në 500.
“Ne me presionin tonë edhe të sinqertë edhe sindikal edhe njerëzor kemi bërë që Komisioni për Buxhet dhe Financa e Parlamentit të Kosovës i ka propozuar Parlamentit të Kosovës që paga minimale të jetë për vitin 2023 prej 450 eurove dhe paga minimale për vitin 2024 të jetë 500 euro”, ka deklaruar kryesindikalisti i sektorit privat, Jusuf Azemi.
Por, çka nëse ky propozim nuk merret parasysh, pasi që Qeveria ka një tjetër.
“Ne mendojmë se Parlamenti i Kosovës është një institucion më i lartë se Qeveria e Kosovës dhe ata njerëz që e kanë propozuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa i marrim që janë njerëz profesionistë dhe ne shpresojmë që kjo shumë duhet të kalojë gjithmonë nëse nisemi nga përballja e asaj sepse me një pagë 264 euro nuk mund të mbijetohet”, ka shtuar ai.