Në Zvicër bëhet temë kritika e Granit Xhakës

Në Zvicër bëhet temë kritika e Granit Xhakës

Ka bërë bujë kritika e Granit Xhakës për mënyrën se si Zvicra është përgatitur për ndeshjen ndaj Kosovës.

Kosova e Zvicra barazuan 2:2 të shtunën në Prishtinë, ndërsa Xhaka është shprehur i pakënaqur për mënyrën se si helvetikët kanë ushtruar gjatë gjithë javës. Ka thënë se ka munguar intensiteti në stërvitje dhe kjo më pas ka reflektuar në paraqitjen në fushë ndaj Kosovës. Ky është vlerësuar edhe sulm ndaj përzgjedhësit Murat Yakin.

Lidhur me kritikat publike të Xhakës, për “Blick” kanë folur emra të mëdhenj të futbollit zviceran. “Blick” ka shkruar se ekspertët janë të ndarë sa i takon asaj që tha Xhaka.

Kubilay Turkyilmaz, kolumnist i “Blickut” dhe emër i madh i futbollit në Zvicër, ka theksuar se Xhaka ishte i shqetësuar dhe ka dashur të thotë diçka. Ai ka vlerësuar se kritika e Xhakës ishte banale. Turkyilmaz ka thënë se Graniti ka hapur një temë që duhet të marrë përgjigjen e duhur. Përgjigjja, sipas tij, duhet të vijë nga ekipi me fitore dhe paraqitje bindëse ndaj Andorrës. Turkyilmaz ka thënë se duhet të reagojë edhe Pierluigi Tami, drejtor i Përfaqësueses zvicerane.

“Pas një periudhe të shkurtër reflektimi, ai duhet të flasë me Xhakën dhe t’ia bëjë të qartë se kjo duhet të përfundojë dhe që Graniti nuk mund ta luajë rolin e trajnerit. Imazhi i Përfaqësueses goditet nga gjëra si këto. Dhe absolutisht nuk bën të lejohen”, ka thënë Turkyilmaz.

Ish-reprezentuesi i Zvicrës, Stephane Henchoz, ka thënë se nuk ishte ideale që kritika e Xhakës ishte publike.

Një tjetër ish-lojtar i Zvicrës, Georges Bregy, ka thënë se paraqitja e Xhakës ishte e zbehtë dhe se pas një paraqitjeje të tillë nuk kishte të drejtë ta kritikonte trajnerin. Ai ka thënë se kualiteti i Xhakës shpesh nuk shihet te Zvicra dhe se helvetikët kanë luajtur pa të pesë ndeshjet më të mira kualifikuese për Botëror.

“Do të ishte mirë që Xhaka të qëndronte në stol për 90 minuta ndaj Andorrës. Nuk bën të përfundojë vetëm kështu. Nuk ishte hera e parë që ka kritikuar publikisht trajnerin”, ka thënë Bregy.

Shumë kritik ndaj Xhakës është shprehur edhe Walter de Gregorio, të cilin “Blick” e ka prezantuar si ekspert i komunikimit.

Ndërkohë eksperti i “Blick”, Markus Babbel, ka pasur mendim tjetër.

“Deklaratat e Xhakës janë shenja shumë pozitive për mua. Kjo, pasi tregon se ekipi është gjallë, që janë të pakënaqur pas një ndeshjeje si ajo dhe se e adresojnë këtë. Ka zjarr brenda dhe kjo duhet për sukses. Futbollit i duhen djem si Xhaka. Më shumë se kritikë ndaj Yakinit ishte kërkesë ndaj bashkëlojtarëve”, ka thënë Babbel.

Kritikat e Xhakës nuk i kupton Benjamin Huggel, ekspert i SRF-së për përfaqësuesen e futbollit.

Për “Blick” ka folur edhe Mirlind Kryeziu, mbrojtësi i Kosovës. Ai ka thënë se si kapiten Xhakës i takon të adresojë çështje të tilla.

Related Articles