Nëna vetushqyese në hall: Djali im prej kohësh rrahet nga nxënës të tjerë, as drejtoria nuk gjen zgjidhje

Nëna vetushqyese në hall: Djali im prej kohësh rrahet nga nxënës të tjerë, as drejtoria nuk gjen zgjidhje

Një nënë e vetme, e cila po përballet me një situatë të vështirë për djalin e saj 11-vjeçar, ka ngritur një alarm për dhunën që po ushtrohet ndaj tij nga bashkëmoshatarët në shkollën “Abdullah Shabani” në Mitrovicë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ajo ka bërë thirrje për mbështetje nga autoritetet arsimore dhe policore, pasi djali i saj është shantazhuar, rrahur dhe kërcënuar me armë të ftohta nga disa nxënës të tjerë të shkollës.

Në një postim emocionar, Valbona Krasniqi, nënë e vetme e 11-vjeçarit, shpjegoi se ka ngritur shqetësimin për këtë situatë tek prindërit e fëmijëve agresivë, drejtorin e shkollës dhe kujdestaren e klasës, por nuk ka pasur asnjë reagim të dukshëm që do të garantonte sigurinë dhe mirëqenien e fëmijës së saj. Ajo tha se djali i saj tashmë ka pësuar trauma dhe ka qenë i detyruar të mungojë nga shkolla për shkak të frikës dhe dhunës të ushtruar ndaj tij.

Sipas Krasniqit, edhe pas ndërhyrjes së shkollës dhe transferimit të djalit të saj në një klasë tjetër, fëmijët agresivë kanë vazhduar të ushtrojnë dhunë fizike ndaj tij. Ajo tregon se djali ka përjetuar një situatë dramatike, ku është goditur dhe shtypur nga mbi dhjetë bashkëmoshatarë të tij. Si pasojë, djali ka pësuar probleme shëndetësore, përfshirë të vjella dhe temperaturë të lartë.

Një tjetër shqetësim që Valbona ka ngritur është mungesa e kontrollit të institucioneve arsimore mbi nxënësit, duke e pyetur si mundet një shkollë të mos ketë masa disiplinore për fëmijët 11-vjeçarë, të cilët po ushtrojnë dhunë ndaj shokëve të klasës. Ajo ka kërkuar një përgjigje të qartë se si do të mund të sigurohet një ambient arsimor i sigurt për fëmijët dhe nëse duhet të përdoren masa policore dhe gjyqësore për të zgjidhur këtë çështje.

Në një takim me drejtorin e shkollës, Krasniqi është këshilluar që të heshtë dhe të largohet nga shkolla, duke përmendur se prindërit e fëmijëve dhunues janë “familje problematike” që kanë ndikim të madh, edhe ndaj ligjit. Valbona e ka konsideruar këtë një përpjekje për të fshehur problemet dhe abuzimet, dhe ka shprehur vendosmërinë për të denoncuar dhunën dhe për të kërkuar drejtësi për djalin e saj.

Në një apel të fortë, ajo ka kërkuar mbështetje nga institucionet për të siguruar që fëmijët të mund të ndjekin arsimin e tyre pa frikë dhe për të ruajtur të drejtat dhe sigurinë e tyre në shkolla. “Si nënë e vetme, unë nuk mund të hesht më. Fëmijën tim e rrita me shumë mund dhe sakrifica, dhe nuk do të lejoj që ai të vuajë më”, përfundon Valbona Krasniqi.

Related Articles