Nenad Çanak, politikani liberal serb, që dikur ishte edhe kryetar i Kuvendit të Vojvodinës, ka bërë një deklaratë tronditëse në lidhje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në emisionin Sokantno, Çanak pretendoi se Kurti, me të cilin u takua vitin e kaluar zyrën e tij në Kryeministri, ishte rekrutuar nga Vojislav Shesheli, kriminel i dënuar lufte nga Haga dhe njëra nga figurat më radikale të politikës serbe.
Gjatë diskutimit me Milomir Mariqin, gazetar serb, politikani Çanak thekson se nuk di nëse Kurti ende është agjent serb, por, megjithatë, pretendon që Kurti dikur ishte rekrutuar nga Shesheli.
Dialogu mes Çanakut dhe Mariqit zhvillohet saktësisht në nga minuta 18:40 e emisionit “Sokantno”:
“Mariq: E sulmon Vojislav Sheshelin me muaj e vite.
Çanak: Atë kriminel, atë mjeran.
Mariq: E kam zbuluar para disa ditëve rolin e tij historik se si ai me shokun e tij me emrin “Laufer” që e ka themeluar Partinë Radikale Serbe.
Çanak: Kur u prishën me Kurtin?
Mariq: Kur ai e trajnoi Kurtin që të bëhej agjent serb në burgun e Nishit.
Çanak: Për këtë të pyes. Kurti nuk ka marrë nga Shesheli veç dobësinë folëse.
Mariq: Kush e flet serbishten më mirë, Shesheli apo Kurti?
Çanak: Kurti. Personalisht kam folur me të.
Mariq: A është Kurti agjent serb të cilin e ka rekrutuar Shesheli bashkë me Lauferin?
Çanak: Që e ka rekrutuar, është e sigurt e nëse është agjent serb, këtë nuk e di.
Mariq: Ai ka punuar dikur me Sheshelin.
Çanak: Këtë nuk e di, e di që e kanë rekrutuar dhe kjo është plotësisht e logjikshme”- përfundon pjesa ku flitet për “rekrutimin e pretenduar” të Kurtit.
“Laufer” është një kod i aksionit të spinuazhit që e kishte aktivizuar Shesheli e që ishte mekanizëm spinuazhi i Partisë Radikale Serbe.
Çanaku vazhdimisht ka mbajtur qëndrime liberale karshi çështjes së Kosovës, që e bën atë të dalluar nga shumica absolute e politikanëve serbë. Madje politikani serb e njeh Kosovën si shtet të pavarur.
“Kur flasim për lëvizje të caktuara të udhëheqjes serbe, kjo nuk do të thotë se është një sulm ndaj Serbisë si shtet, por ndaj lidershipit të caktuar. Kosova nuk ka se çfarë të njihet, ajo është e pavarur” – theksonte Çanaku për “Prva TV”- transmetonte Koha më 10 tetor 2021.
Çanaku befasoi edhe me vizitën e tij në Meje, vendin e masakrës më të madhe në Kosovë, duke vendosur lule te varret e të vrarëve nga ushtria dhe policia serbo-jugosllave.
“Të gjitha nënat në botë qajnë për fëmijët e tyre në gjuhën e njëjtë”- shkruante Çanaku në Twitter, transmetonte Epoka e Re.
Ndërsa ishte vetë Kurti që kishte njoftuar që e kishte pritur Çanakun për vizitë, duke lëshuar madje një komunikatë për medie.
“Kurti e njoftoi Çanak se janë 1,632 persona që konsiderohen të zhdukur dhe theksoi se qeveria do të angazhohet maksimalisht për të gjithë të pagjeturit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”- thuhej nga Qeveria Kurti, ndër të tjerash, transmetonte Telegrafi.
Para disa muajve, Çanaku, në një intervistë për Nacionale, kishte folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se Beogradi dhe Prishtina janë të lodhur nga tensioni.
“Nëse i trajtoni negociatat si një luftë midis të gjitha palëve, nuk ka rrugë të mesme dhe zgjidhje të mira. Prandaj mendoj se prania e intelektualëve të pavarur do t’i ndihmonte këto negociata”- vlerësonte ai në intervistën për Nacionalen.