Nenad Rashiq thotë se mandati i Osmanit ka skaduar, e quan ish-presidente

Nenad Rashiq thotë se mandati i Osmanit ka skaduar, e quan ish-presidente

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ka folur në një intervistë për Radio Gorazhdevac lidhur me situatën politike në vend.

Ai ka thënë se nuk ka dështuar zgjedhja e presidentit të ri, por ka skaduar mandati i presidentes Vjosa Osmani. Ai madje i është referuar Osmanit si ish-presidente.

“Nuk do të thoja që zgjedhja e një Presidenti të ri dështoi, por do të thoja se mandati i Presidentit të vjetër ka skaduar. Të paktën siç interpretohet nga juristët kur bëhet fjalë për atë që është shkruar në Kushtetutë, në lidhje me Nenin 86”, ka thënë Rashiq.

Ai shtoi se lind pyetja nëse Presidenti ka të drejtë të shpërndajë Parlamentin në një situatë të tillë.

“Pyetja është, para së gjithash, nëse ish-Presidentja Osmani ka të drejtë të bëjë një gjë të tillë, domethënë të shpërndajë Kuvendin”, ka shtuar Rashiq duke shpjeguar se sipas procedurës, pas skadimit të mandatit, mbetet një periudhë prej 60 ditësh për zgjedhjen e një Presidenti të ri, pas së cilës shpërndarja e Parlamentit do të ishte automatike.

Sipas tij, i vetmi organ kompetent që mund të marrë vendimin përfundimtar është Gjykata Kushtetuese.

Duke folur për zgjedhjet e mundshme, ai tha se ai dhe partia e tij janë gati të dalin në terren, megjithëse qytetarët janë të lodhur nga proceset e shpeshta zgjedhore.

Related Articles