Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka kritikuar Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, pasi që Bordi i Postës së Kosovës ka larguar nga puna imëte Kodrën, bashkëshorten e Heroit Ilaz Kodra.
Lushtaku, është parë së bashku me familjen Kodra në një fotografi, të cilën e ka publikuar, duke lëshuar gjithashtu edhe një reagim për rastin e Kimete Kodrës.
“Para pak ditësh, me aktivitete të shumta, nderuam sakrificën e njërit prej themeluesve të UÇK-së, heroit të Kosovës, Ilaz Kodra. Ilazi ra heroikisht duke lënë pas vetës bashkëshorten Kimeten dhe dy vajzat, Sumejen e Krenaren. Kjo e fundit lindi disa muaj pas rënies së Ilazit. 23 vite pas rënies së tij, Bordi i Postës së Kosovës, i emëruar me vendim nga qeveria e Albin Kurtit, pas 22 vitesh në punë në postën e Kosovës në Skenderaj, e largojnë nga pozita Kimeten, një grua e zonja e cila me dinjitetin dhe përkushtimin më të madh, ka rritur dy vajzat e mrekullueshme, të cilat janë të shkëlqyeshme në studime”, ka shkruar ai.
Lushtaku e ka konsideruar vazhdim të përndjekjes dhe peresekutimit të familjes së Ilazit, vendimin e bordit të emëruar nga Qeveria Kurti.
“Ky veprim është vazhdim i përndjekjes dhe persekutimit të familjes së Ilazit, por tash nga një bord shqiptarësh i emëruar nga qeveria Kurti. Ky është veprimi më i turpshëm që një qeveri e Kosovës do të mund ta bënte ndaj një familje që dha aq shumë për Kosovën!”, ka shkruar ai.
Një kritikë të ngjashme, Kurtit ia kishte bërë edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila është edhe pjesëtare e familjes së Ilaz Kodrës. Ajo kishte falënderuar Kurtin për homazhet dhe nderimet, por në vëmendje kishte sjell edhe shkarkimin e Kimete Kodrës nga puna në PTK.