Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besiane Musmurati, ka folur në Parlamenti Evropian në një konferencë të organizuar nga grupi parlamentar Renew Europe, ku ka ngritur shqetësime serioze për tendencat autoritare të qeverisjes së fundit në Kosovë.
Në fjalën e saj, Musmurati theksoi nevojën për monitorim të rreptë ndërkombëtar, duke paralajmëruar se në Kosovë po instalohet një mendësi e rrezikshme qeverisëse që cenon themelet e shtetit demokratik.
“Në Parlamentin Evropian, pata nderin të flas në konferencën e organizuar nga grupi parlamentar Renew Europe,” tha Musmurati, duke shtuar se “ngrita alarmin për domosdoshmërinë e monitorimit të rreptë të tendencave autoritare të qeverisë së fundit.”
Ajo theksoi se një nga problemet kryesore është minimi i rendit kushtetues, duke nënvizuar se janë evidentuar mbi 15 shkelje të Kushtetutës.
“Me mbi 15 shkelje të Kushtetutës, qëllimi është i qartë – shndërrimi i institucioneve dhe ndërmarrjeve shtetërore në vegla për përndjekjen e kundërshtarëve politikë, mediave dhe shoqërisë civile,” deklaroi Musmurati.
Duke folur për lirinë e medias, ajo paralajmëroi për rënie të theksuar të standardeve demokratike në këtë fushë.
“Sulmet sistematike ndaj gazetarëve dhe tentativat për mbylljen e mediave na kanë zbritur në nivelet më të ulëta historike sipas ‘Reporters Without Borders’,” theksoi ajo.
Musmurati ngriti gjithashtu shqetësime për presionin mbi gjyqësorin, duke e cilësuar atë si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës.
“Ndërhyrjet direkte dhe linçimet publike ndaj prokurorëve e gjyqtarëve po cenojnë rëndë shtyllën e shtetit të së drejtës,” u shpreh ajo.
Në përmbyllje, nënkryetarja e PDK-së riafirmoi orientimin perëndimor të Kosovës dhe rëndësinë e mbrojtjes së lirive demokratike.
“Republika e Kosovës është arritja jonë më e madhe historike. Liria brenda saj është po aq e shenjtë sa liria e vetë shtetit. Rruga jonë është ajo e vlerave perëndimore dhe e lirisë, jo e autoritarizmit!”
