Në prani të kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, dhe zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi-Krasniqi, nënshkruan memorandumin për restaurimin e objektit të Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Pasi përmendi ndërhyrjen emergjente, në proces, për renovimin e kulmit dhe ulluqeve të brendshme, Kurti tha se me bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive po vendoset baza për trajtimin e plotë të ndërtesës së Institutit Albanologjik, si objekt nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore.
“Memorandumi parasheh zhvillimin dhe zbatimin e projektit për restaurimin e plotë të tij. Përtej aspektit fizik të ndërtesës, ky restaurim do të trajtojë edhe funksionalizimin e qëndrueshëm edhe ekspozitën e përhershme etnografike dhe në veçanti muzealizimin e zyrës së akademik, profesor, tashmë të ndjerë, Rexhep Qosja”, tha kryeministri në detyrë.
Kurti tha se investimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për këtë fazë është mbi 144 mijë euro.
“Nga ndërhyrja emergjente po kalojmë te restaurimi i plotë me bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive tona, po vendoset baza për trajtimin e plotë të ndërtesës së Institutit Albanologjik, si objekt nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore” shtoi Kurti.
