Nëntë persona nga Tirana mbetën të bllokuar në afërsi të plazhit Krorëz, për shkak të një defekti të gomones.
Ata u ndihmuan nga Njësia Speciale e kufirit dhe njësia policore detare në Shqipëri.
Sipas njoftimit të policisë shqiptare, mes personave që iu dha ndihmë kishte edhe fëmijë.Megjithatë, ata janë transportuar në Portin e Sarandës, në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftimi i policisë
Njësia Speciale e Kufirit Delta dhe Njësia Policore Detare në SPK Borsh ndihmuan 9 shtetas nga Tirana, të cilëve u rrezikohej jeta në mjetin lundrues që kishte pësuar defekt në det.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare shkuan menjëherë në drejtim të adresës së dhënë, në afërsi të plazhit Krorëz, dhe konstatuan mjetin lundrues tip gomone, i cili kishte pësuar defekt në motor.
Në bordin e tij ndodheshin drejtuesi dhe 8 familjarët e tij, të cilët kishin dalë së bashku për guidë turistike në këtë zonë.
Të nëntë shtetasit u transportuan me mjetin e Njësisë Speciale Delta në Portin e Sarandës, në gjendje të mirë shëndetësore.
Gjithashtu, mjeti i tyre lundrues u transportua nga Policia po në këtë port.