Nëntë të vdekur nga kequshqyerja në 24 orët e fundit në Gaza

Nëntë të vdekur nga kequshqyerja në 24 orët e fundit në Gaza

Ministria e Shëndetësisë në Gaza, njofton se në 24 orët e fundit kanë vdekur nëntë persona nga kequshqyerja.

Sipas të njëjtës ministri, që nga fillimi i luftës kanë humbur jetën gjithsej 122 persona, përfshirë 83 fëmijë, për shkak të mungesës së ushqimit.

Ditët e fundit mediat e huaja kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin për këtë çështje, për shkak se gazetarë dhe punonjës të tjerë janë ankuar për ndjenjën e urisë.

Gazetarët palestinezë të pavarur që punojnë për BBC-në në Gaza raportojnë se janë duke përjetuar uri në nivele ekstreme, ku ka raste që nuk kanë ngrënë për ditë me radhë. Kjo tregon për përmasat e krizës humanitare në rritje në enklavën e rrethuar.

Konkretisht, tre gazetarët palestinezë tregojnë se po luftojnë për të ushqyer familjet e tyre dhe shpesh kalojnë dy ditë ose më shumë pa ngrënë.

“Ndihem vazhdimisht i lodhur dhe i rraskapitur, deri në pikën që më merren mendtë dhe bie në tokë,” thotë një gazetar me përvojë që punon në Gaza City, dhe kujdeset për nënën, motrat dhe pesë fëmijët, të moshës 2 deri në 16 vjeç.

Ndërkohë, një kameraman në jug të Gazës thotë:
“Stomaku më shtrëngohet, më dhemb koka, dhe jam i dobët. Më parë punoja nga ora 07:00 deri në 22:00, por tani mezi arrij të përgatis një histori të vetme. Ndjehem i trullosur.”

Një tjetër koleg tregon për djalin e tij me autizëm, i cili nuk është i vetëdijshëm për situatën:
“Në ditët e fundit, është aq i uritur sa që ka filluar të godasë barkun me dorë për të na treguar se do ushqim,” shpjegon ai.

Ndërkohë, Izraeli ka deklaruar se mund të lejojë hedhjet ajrore të ndihmave humanitare nga shtete të huaja në Gaza, përfshirë Jordaninë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Megjithatë, ndihmat e tilla në të kaluarën kanë qenë të pamjaftueshme dhe shpesh të rrezikshme, duke shkaktuar viktima për shkak të përplasjes së arkave ose përpjekjeve për t’i nxjerrë ato nga deti.

Related Articles