Sot bëhen nëntë vjet nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
Me rastin e kësaj dite, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë homazheve në nderim të Astritit, theksoi domosdoshmërinë e zbardhjes së plotë të rastit.
“I bëjmë thirrje sistemit të drejtësisë të bëjë më tepër dhe të angazhohet, sepse ky krim është një plagë e hapur, jo vetëm për familjen Dehari dhe Lëvizjen Vetëvendosje, por për mbarë popullin e Kosovës dhe Republikën tonë”, ka thënë ai.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha bashkë me ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiun dhe deputeten Shqipe Mehmeti-Selimi, kanë bërë homazhe pranë varrit të Astrit Deharit.

“Në nderim të aktivistit tonë, Astrit Dehari. E kujtojmë me respekt dhe nderim. Kontributi dhe idealet e Astritit mbeten frymëzim i përhershëm për të gjithë Lëvizjen tonë”, ka shkruar Mehmeti-Selimi.
Në këtë përvjetor të nëntë, kryeparlamentari Basha ishte i pari që dhuroi gjak në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje, në shenjë simbolike të kujtimit për Astritin.
