Rastet e dhunës në familjet kosovare po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që çdo ditë e më shumë gratë janë ato që po përjetojnë dhunë e kërcënime edhe me jetë. Një rast i tillë është raportuar të ketë ndodhur dje, në një shtëpi në rrugën e Pejës, në Fushë Kosovë.
Burimet e Sinjalit thonë se i dyshuari Q.I., 47-vjeçar për shkak të një konflikti verbal me bashkëshorten e tij, e kishte kërcënuar atë me fjalë të ndryshme dhe e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar frikë të madhe.
Në dëshminë e viktimës të dhënë para hetuesve thuhet se bashkëshorti i saj iu ka drejtuar me fjalët se “nëse ndahemi, kom me t’vra ty edhe veten” dhe më pas e ka vazhduar ta rrah, deri në atë pikë sa e ka rrëzuar përtokë.
Kjo situatë e ka shqetësuar në masë të madhe gruan, e cila e ka rrëfyer në Polici gjithë ngjarjen që i ndodhi në shtëpi.
Posa Policia është vënë në dijeni për rastin, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij.
Sinjali mëson se Prokurorit i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij në kohëzgjatje prej 48 orësh për veprën penale “dhunë në familje”.