Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, thotë se ushtria e vendit do t’i kryejë detyrat e saj në çdo cep të Republikës së Kosovës në rast se rrezikohet territori, veçanërisht në veri.
“Detyra kryesore që del nga misioni i Ushtrisë së Kosovës është mbrojtja e integritetit dhe sovranitetit të vendit, mbrojtja e kufijve dhe nëse kufijtë rrezikohen ushtria e ka detyrë me ligj dhe kushtetutë që të intervenohet aty me leje të institucioneve qendrore”.
“Presidentja është edhe Komandantja Supreme dhe nëse urdhëron që ushtria të shkojë në ndonjë cep të Kosovës atëherë ky urdhër duhet të zbatohet. Nëse rrezikohet territori i Kosovës, FSK-ja do t’i kryejë detyrat e saj në çdo cep të Republikës së Kosovës,” u shpreh Kastrati në KlanKosova.
Kastrati, tha se sa ka qenë komandant FSK-ja ka zbarkuar dy herë në veri për aksione humanitare, por në rast të rrezikimit të kufijve do t’i kryej detyrat e saj. “Marrëveshja e 2013-ës ka qenë marrëveshje e momentit dhe politike deri në marrëveshjen finale, por me nënshkrimin e marrëveshjes finale ushtria do të ketë të drejtë të operojë në të gjithë vendet për të mbrojtur qytetarët e saj”.
“Në dokumentin e 2013-ës nuk thuhet se nuk lejohet shkuarja e FSK-së, por FSK-ja mund të dislokojë në atë pjesë në bashkëpunim me KFOR-in dhe nuk përmendet se nuk lejohet. Unë sa kam qenë komandat FSK-ja dy herë ka zbarkuar në atë pjesë për aksione humanitare që do të thotë se nuk ka ndalesë por ka vetëm bashkërendim me KFOR-in” tha Kastrati.