Nesër nis votimi për Papën e ri – Kardinalët mbyllin përgatitjet para-konklavës në Vatikan

Nesër nis votimi për Papën e ri – Kardinalët mbyllin përgatitjet para-konklavës në Vatikan

Kardinalët në Vatikan kanë përfunduar takimet para-konklavës, në përpjekje për të identifikuar pasardhësin e Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë më 21 prill në moshën 88-vjeçare.

Në këto takime, 133 kardinalët zgjedhës nga 70 vende të ndryshme janë shprehur se sfida kryesore nuk ka të bëjë me përkatësinë kontinentale apo orientimin ideologjik të Papës së ri, por me aftësinë e tij për të udhëhequr kishën si një pastor e mësues i denjë, që mund të sjellë unitet dhe të predikojë paqen.

“Na duhet një supermen!” tha Kardinali William Seng Chye Goh, kryepeshkopi i Singaporit, duke theksuar përmasën e sfidave që e presin pasuesin e Françeskut.

Zgjedhja e Papës së ri zhvillohet në një kontekst të vështirë për Kishën Katolike, e cila përballet me pasoja nga skandalet e abuzimit seksual dhe financiare, rënie të ndikimit në shumë pjesë të botës dhe vështirësi burokratike e financiare në Selinë e Shenjtë.

Megjithëse shumica dërrmuese e kardinalëve – 108 nga 133 – janë emëruar nga vetë Papa Françesku, procesi mbetet i paparashikueshëm për shkak të njohjes së kufizuar mes tyre deri në këto ditë të fundit.

Të martën, kardinalët përmbyllën takimet duke shkatërruar unazën dhe vulën e Papa Françeskut, një ritual simbolik që shënon përfundimin zyrtar të pontifikatit të tij.

Konklavi fillon të mërkurën pasdite në Kapelën Sistine, ku do të hidhet vota e parë. Nëse asnjë kandidat nuk siguron 89 vota (dy të tretat e votave), procesi do të vazhdojë të enjten me nga dy votime paradite dhe dy pasdite, deri në zgjedhjen e Papës së ri.

Duke folur për prioritetet e votuesve, Kardinali Goh tha se fokusi është në përhapjen e besimit dhe rëndësinë e kishës në epokën moderne: “Si t’u afrohemi të rinjve, si të tregojmë një fytyrë dashurie, gëzimi dhe shprese”.

Related Articles