Policia e Shtetit thotë se ka marrë masat për protestën e opozitës të parashikuar për t’u mbajtur ditën e nesërme përpara Bashkisë së Tiranës.
Policia thotë se për shkak të protestës do të bllokohet kalimi i mjeteve në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.
Gjithashtu, duke i nisur nga incidentet e mëparshme, ku janë hedhur edhe shishe molotov në drejtim të forcave të rendit, policia i bën thirrje pjesëmarrësve në protestë të distancohen nga aktet e dhunës.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ditën e premte, 26 prill 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës.
Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, ditën e nesërme, në orën 09:45 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.
Gjatë dy tubimeve të fundit, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u bën thirrje organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime të respektojnë ligjin dhe të distancohen nga çdo akt dhune.
Cenimi i rendit e sigurisë publike dhe rrezikimi i shëndetit e jetës së punonjësve të policisë përbëjnë shkelje të ligjit dhe Policia e Shtetit do të veprojë gjithnjë me profesionalizëm.