Nesër, e enjte datë 4 prill, do të mbahet takimi i radhës në Bruksel në nivel kryenegociatorësh.
Në Bruksel, më 25 mars, pati përfunduar pa marrëveshje takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit si mjet pagese me para në dorë, është i ndaluar në Kosovë që nga muaji i kaluar.
Takimi i përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak Lajçak, me kryenegociatorin nga Kosova Besnik Bislimi dhe ai nga Serbia Petar Petkoviq, përfundoi pa marrëveshje dhe menjëherë atë ditë u paralajmërua një takim për këtë javë.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha atë ditë se mendon që ka nevojë edhe për një takim shtesë për çështjen e dinarit serb, pas takimeve që zhvilloi me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë, ndoshta Lajçak do të ofrojë që ai të mbahet javën e ardhshme”, tha Bislimi.
Po atë ditë, u raportua se një rund i ri i dialogut do të mbahej më 4 prill.
Përdorimi i dinarëve për pagesat me para të gatshme në Kosovë është ndaluar që nga 1 shkurti, kur Banka Qendrore e Kosovës nxori një vendim pwr zbatimin e rregullores e cila përcakton euron si valutën e vetme të vendit për pagesa me para të gatshme.
Kjo çështje shkaktoi edhe mosmarrëveshje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë ka vite që merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Diplomatët perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë dekretin për t’u dhënë kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me praktikën e re.